|  KULTURË  |  HISTORI  |   POLITIKË  |  OPINIONE  |  ADRESARI  |  ARKIVI  |
A KANË PENSIONISTËT MOTIV TË DALIN NË VOTIME?
 
   

Pensionistët janë kategoria më e diskriminuar dhe margjinalizuar. Ata janë popullata më e varfër e popullit më të varfër në Europë. Si grupacion shoqëror janë pa status ligjor! U diskriminuan nga Serbia, nga UNMIK-u dhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Kriza globale dhe ajo lokale i ka goditur akoma më tepër. A kanë tash motiv të dalin në votime?

Adil FETAH
adil_fetahu@hotmail.com

Gjendja e pensionistëve të Kosovës

Në korpusin e të drejtave themelore të njeriut, e drejta e sigurimeve shoqërore (sigurimit social) në përgjithësi, ndërsa e drejta e sigurimit pensional-invalidor në veçanti, zënë vend meritor në të gjitha standardet, parimet dhe normat e akteve juridike kombëtare e ndërkombëtare. E drejta e pensionit konsiderohet si e drejtë pasurore personale e fituar me punë dhe me kontribute të paguara.

Gjykata Europiane dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut kanë formuluar qëndrimin se e drejta në pension është e drejtë pronësore, e mbrojtur në bazë të nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës Europiane, dhe se shkelja e kësaj të drejte paraqet diskriminim në kuptim të nenit 9 të Paktit për të Drejtat Ekonomike e Sociale. Kushtet, kriteret dhe procedura për fitimin dhe realizimin e pensionit të cilësdo kategori (pensioni i pleqërisë, pensioni invalidor ose pensioni familjar) përcaktohen me ligj. Dhe në qoftë se ka ndonjë segment ku nuk duhet të bëhet kurrëfar diskriminimi mbi çfarëdo baze, ky është segmenti i sigurimit pensional dhe invalidor. Por, ja që pensionistët shqiptarë ishin të diskriminuar në periudhën e okupimit të Kosovës nga regjimi i Serbisë (1990-1999), u diskriminuan edhe nën regjimin e KB/UNMIK-ut dhe vazhdojnë të diskriminohen edhe tash në Kosovën e pavarur!

Në kohën e okupimit të Kosovës, regjimi i Serbisë iu ka mbetur borxh pensionistëve shqiptarë disa pensione të papaguara prej vitit 1993 (për shkak të krizës ekonomike dhe inflacionit marramendës që kishte), kurse në vitin 1998-1999 nuk iu pagoi pensionet shqiptarëve, me arsyetim se në Kosovë po zhvilloheshin luftime dhe nuk kishte mundësi t’iu shpërndaheshin pensionet. Ky “arsyetim” nuk pin ujë, sepse serbëve e malazezëve iu paguheshin pensionet rregullisht dhe pa kurrëfar pengese.

Sigurimi pensional asokohe nuk nënkuptonte vetëm pagesën e pensionit, por nënkuptonte edhe një varg të drejtash dhe prestacionesh (pagesa) tjera sociale në bazë të statusit të pensionistit, si bie fjala: e drejta e mbrojtjes shëndetësore për vete dhe për familjen e ngushtë të pensionistit; e drejta për të marrë shtesat fëminore; e drejta për të marrë banesë ose kredi për ndërtim të shtëpisë familjare; e drejta e regresimit të shpenzimeve të udhëtimit në transportin publik; e drejta e shfrytëzimit të objekteve të standardit shoqëror (banja, pushimore, klube, restorante); e drejta e ndihmës dhe kujdesit për pensionistin (invalid të rëndë); e drejta për rehabilitim profesional të fëmijëve të pensionistit (kur ata ishin me të meta në zhvillim); e drejta për mjete ndihmëse ortopedike, fizikale e tjera; e drejta e kompenzimit të shpenzimeve të vorrimit.

Të gjitha këto kanë qenë të përcaktuara e rregulluara me ligjet themelore (federative) dhe me ligjet autonome të Kosovës. Mirëpo, regjimi okupues i Serbisë, sikur në të gjitha organet, institucionet dhe ndërmarrjet, pat zbatuar masa të dhunshme edhe në institucionet e sigurimit pensional, invalidor e shëndetësor, duke i uzurpuar  objektet, mjetet dhe të drejtat. Më 26 nëntor 1990, Kuvendi i Serbisë i futi masat e dhunshme në ish-BVI-në e Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Kosovës, me ç’rast i shkarkoi organet legjitime dhe emëroi organet e dhunshme, të cilat grabitën, plaçkitën dhe tëhuajsuan të gjitha mjetet dhe fondet e pensionistëve. Më në funt, me Ligjin (e Serbisë) për Sigurimin Pensional dhe Invalidor (“GZ e RS”, nr.27, dt. 9 maj 1992):

  1. e suprimoi BVI-në e SPI të Kosovës,
  2. e mori pasurinë, inventarin, mjetet, të drejtat dhe obligimet e asaj BVI-je, dhe
  3. e shfuqizoi Ligjin e Kosovës për Sigurimin Pensional dhe Invalidor

Mirëpo, edhe me ligjin e vet Serbia kishte garantuar pagesën e rregullt të pensioneve ashtu sikur i kanë shfrytëzuar më përpara. Sipas evidencës zyrtare, më 31.12.1998, në Kosovë kanë qenë 89.135 pensionistë ( afro 35% prej tyre serbë e malazezë) të tri kategorive. Disa prej tyre kanë shfrytëzuar edhe kompenzimin për dëmtim trupor, ose ndihmat për përkujdesje nga personi i tretë. Sipas një llogarie që kanë bërë ekspertët kompetentë të kësaj lëmie, për periudhën prej fillimit të vitit 1993 deri më 12 qershor 1999, Serbia iu ka mbetur borxh pensionistëve (shqiptarë) të Kosovës 76.152.935, 94 euro. Kjo shumë kapë vetëm borxhin kryesor, duke mos llogaritur  kamatë. Shumën e mjeteve (financiare ose teknike) të plaçkitura, akoma askush nuk e ka llogaritur.

Në një raport të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të KB, të mbajtur në Gjenevë më 2-27 mars 2009, veprimtarja Verena Graf, i paraqiti atij Këshilli një dokument me të cilin Serbia konsiderohet përgjegjëse (akuzohet) për gjendjen e rëndë sociale të më se 60.000 pensionistëve shqiptarë, për shkak të grabitjes së fondeve të kontributeve të cilat ata i kishin paguar deri në vitin 1999. Aty argumentohet se fondet e kontributeve të pensionistëve kosovarë janë në trezorët e Beogradit, dhe pensionistët serbë të Kosovës i marrin pensionet rregullisht, kurse shqiptarëve nuk u janë paguar qysh nga viti 1998. Ajo ka kërkuar që Këshilli të formojë një komision i cili do të kontaktojë me qeverinë e Serbisë dhe të Kosovës, për të zgjidhur këtë problem, pa peripeti e zvarritje byrokratike.

“Reforma” i la pensionistët jasht ligjit

Kaluan më se dhjetë vjetë prej çlirimit të Kosovës nga okupatori serb, dhe akoma nuk është miratuar një ligj i Kosovës për sigurimin pensional dhe invalidor, kështu që pensionistët (e paraluftës) kanë mbetur njerëz “jasht ligjit”. Rregullorja e UNMIK-ut nr.2001/35, që kinse  ka bërë njëfar reforme në sistemin pensional të Kosovës, nuk vlenë as nuk ka rregulluar asgjë për pensionistët ekzistues në kohën e miratimit të atij akti. Ndërsa pagesa e të ashtuquajturit “pensioni bazë” që iu bëhet të gjithë personave të moshës mbi 65 vjeçe, pa marrë parasysh se a kanë punuar e paguar kontribute për pension ose jo, nuk e ka zgjidhur çështjen e statusit, pozitës dhe të drejtave nga sigurimi pensional dhe invalidor i pensionistëve ekzistues. Pagesat në bazë të asaj rregulloreje kanë karakter të ndihmës sociale.

As diferencimi dhe rritja lineare e pagesës për personat të cilët kanë paguar kontribute më se 15 vjetë, që është bërë prej fillimit të vitit 2009, me një urdhëresë administrative të Qeverisë së Kosovës, nuk është zgjidhje e statusit, pozitës as të drejtave të pensionistëve. Por as atë rritje (diferencë) nuk mund ta shfrytëzojnë shumë pensionistë, ngase iu kanë humbur dokumentet me të cilat do të mund të provonin se kanë paguar kontribute 15 vjetë e më tepër. Dhe natyrisht, se nuk është e drejtë as nuk mund të quhet sistem pensional ai që i barazon kontributet e paguara 40 vjetë, me ato të paguara 15 vjetë. Paçka se kontributet pagueheshin në bazë të pages (rrogës) dhe ato ndryshonin shumë. Në pozitë veçanërisht më të keqe janë invalidët e punës, të cilët ishin pensionuar në bazë të invaliditetit, të cilët nuk i kanë mbushur 65 vjetë moshe, si dhe ata që nuk kanë stash pune mbi 15 vjetë. Të parët nuk mund të marrin fare nga skema “pensionale” (sociale), kurse të dytët nuk mund ta marrin shtesën e caktuar për paguesit e kontributit.

Sipas statistikës zyrtare (“Statistika e mirëqenjes sociale 2008”), në fund të vitit 2008 në Kosovë ishin 138.847 persona të cilët kanë shfrytëzuar të drejtën “në pension”. Në këtë numër janë përfshirë të gjitha kategoritë e mëhershme dhe të tashme të pensionistëve (të moshuarit mbi 65 vjeçë, pensionistët kontributpagues, invalidët e punës, invalidët e luftës, invalidët civil të luftës, personat me aftësi të kufizuara, etj.). Numri i pensionistëve kontribut-pagues të paraluftës tashmë ka rënë nën 30.000, për shkak se shumë prej tyre kanë vdekur në ndërkohë. Dhe kjo kategori, bashk me invalidët e punës të asaj periudhe, janë në gjendjen më të rëndë dhe  më të diskriminuarit, ngase statusi i tyre nuk është rregulluar me asnjë ligj.

Ministria e Punës dhe Mirëqenjes Sociale qysh prej para katër vjetëve  deri më tash  ka përgatitur tre-katër verzione të projekt-ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor, mirëpo për shkaqe të ndryshme asnjë projekt  nuk ka arritur të shqyrtohet nga Qeveria  e të procedohet për miratim në Kuvendin e Kosovës. Arsyetimi kryesor i Qeverisë konsiston në atë se FMN nuk lejon rritjen e fiskaliteteve që do të shkaktonte miratimi dhe zbatimi i ligjit! Natyrisht se pensionistët nuk i besojnë këtij arsyetimi, sepse FMN dhe BB jo se duhet ta pengojnë miratimin e ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, por përkundrazi – e dinë fare mirë se asnjë shtet nuk mund të integrohet në strukturat integruese europiane poqese nuk e ka një ligj  për reformën e sistemit pensional. Por, reforma nuk duhet as nuk guxon të mohojë dhe të ndërpret të drejtat e fituara të pensionistëve të mëparshëm.

Reforma vlenë për pensionistët e ardhshëm, e jo për ata që të drejtën e pensionit e kanë fituar në bazë të ligjeve ekzistuese në kohën kur kanë dalur në pension. Le të ndryshojë sistemi pensional, por jo retroaktivisht duke mohuar të drejtat e fituara më parë. Ata që kanë paguar kontributet sipas sistemit të vjetër, pensionet t’i marrin sipas atij sistemi. Kurse ata që paguajnë sipas sitemit të ri, kur të pensionohen të marrin aq sa kanë paguar (që është një shumë miserable). Sa po shihet nga zvarritja e miratimit të ligjit, fitohet përshtypja se dikush po llogaritë në faktorin biologjik – derisa këta persona të shtyrë në moshë të “transferohen në botën tjetër”! Në mënyrë të pamoralshme dhe jonjerëzore pensionistët janë privuar nga e drejta e tyre e fituar me punë dhe me kontribute të paguara. Duket se pa reformimin e vetëdijes së udhëheqësve, nuk do ketë sukses asnjë reformë.

Pensionistët të zhgënjyer e të mashtruar në fushatat parazgjedhore

Duke ditur se një pjesë të konsiderueshme të elektoratit në Kosovë e përbëjnë pensionistët me familjarët, miqtë dhe shokët  e tyre, liderët e partive politike në fushatat parazgjedhore premtonin miratimin e ligjit dhe përmirësimin e pozitës ekonomike e sociale të pensionistëve. Një premtim të tillë e pat dhënë edhe kryeministri aktual (z. Hashim Thaçi), i cili pat nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Organizatën e Pensionistëve dhe pat premtuar se ligji per pensionet do të miratohet deri në gjysmën e parë të vitit 2008. Mirëpo, si po shkojnë punët, ligji për pensionet nuk do të miratohet as në vitin 2010! Bashkimi i Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, që është organizatë e cila përpiqet të mbrojë të drejtat e anëtarëve të vet, ka bërë përpjekje të parreshtura dhe ka  kërkuar të miratohet ligji e të zgjidhet statusi dhe pozita e pensionistëve, por kërkesat e saj janë neglizhuar dhe injoruar, duke e margjinalizuar tërë këtë kategori sociale të njerëzve, të cilët me decenje kanë kontribuar në ndërtimin e vendit.

Ka pasur kërkesa nga organizatat komunale të pensionistëve, për të formuar partinë politike të pensionistëve të Kosovës. Parti të tilla ka në shumicën e shteteve edhe në këtë Ballkanin tonë. Është e sigurtë se sikur të formohej partia e pensionistëve, do ta kishte një numër të caktuar të deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe në asambletë komunale, dhe në koalicion me partitë e tjera do të mund të ndikonte në përmirësimin e gjendjes së vet. Sepse, përveç pensionistëve e familjarëve të tyre, edhe një numër i personave të papërcaktuar për partite e tjera politike do të votonin për këtë parti, duke ditur se kandidatët e kësaj partie nuk luftojnë për pozita e karrierë, veçse për mbrojtjen e të drejtave të veta, të punëtorëve  dhe të kategorive tjera sociale. Kësaj partie do i bashkoheshin sindikatat e punëtorëve, me familjarët e tyre. Ky opsion mbetet i hapur për zgjedhjet e ardhshme qendrore.

Fjalori i përditshëm i liderëve partiakë dhe udhëheqësve shtetëror të vendit, edhe jashtë fushatave zgjedhore, është përplot me terma të të drejtave të njeriut, mosdiskriminimit, etj. Praktika po tregon të kundërtën e këtyre vlerave.

Maratona e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale sa po i afrohet “finishit”, po bëhet gjithnjë më e vrazhdë, më e shtrejtë, më e neveritshme e me shumë premtime boshe gjithfarëshe. Pensionistët “janë harruar” edhe në këtë fushatë! Dhe shtrohet pyetja: a kanë motiv pensionistët (dhe familjarët e tyre) të dalin për të votuar në këto zgjedhje lokale? Ka shumë shkaqe që qojnë në përfundimin se nuk kanë motiv dhe arsye për të dalë në votime. Ja disa prej tyre: zhgënjimi në politikajt, të cilët e gënjejnë dhe mashtrojnë popullin për interesat (privilegjet, pushtetin, të ardhurat) vetanake; ndjenja e pashpresës dhe mosbesimi se do të mund të ndryshojnë asgjë në të mirë të përgjithshme të vendit e të pensionistëve në veçanti;  edhe po të dalin, nuk dinë se cilit do t’ia japin votën, apo sa do të ndikojë vota e tyre në ndryshimin e gjendjes. Një shkak tjetër që vet pensionistët mund të abstenojnë mund të jenë edhe kushtet atmosferike.

Po nga ana tjetër, edhe nëse nuk dalin në votime, sistemi zgjedhor është kurdisur ashtu që mjafton të votojnë 20-30% të elektoratit, për të konsideruar se të zgjedhurit janë legjitim! Prandaj, mosdalja në votime iu shkon në favor asaj pjese të elektoratit të cilët janë anëtarë ose simpatizantë të partive politike, për të vazhduar mandatin dhe avazin e vjetër.

Vota është i vetmi kapital politik i pensionistëve. Nëse e shfrytëzoni këtë “capital”, para se të dilni në votime, mendohuni mirë se kujt po ia jepni “kokrrat” (ose mbyllni sytë e rrethoni ku të ju shkojë dora !).


 
|  KULTURË  |  HISTORI  |   POLITIKË  |  OPINIONE  |  ADRESARI  |  ARKIVI  |
 
 
Copyright©2000-2009 Trepca.net