|  KULTURË  |  HISTORI  |   POLITIKË  |  OPINIONE  |  ADRESARI  |  ARKIVI  |
NË NJËQINTVJETORIN E NORMALES SË ELBASANIT
 
   
2 dhjetor 2009 /TN   

Adil FETAHU

Viti 2009 është vit i tre jubileve njëqintvjeçar të tri ngjarjeve të rëndësishme nga historia kombëtare shqiptare.  Pas Kongresit të Manastirit, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe, të mbajtur në Manastir (më 14-22 nëntor 1908), një vit më vonë pasuan  dy kongrese dhe u hap shkolla e parë e mesme pedagogjike në gjuhën shqipe, e njohur me emrin përherë shumë të nderuar:

Normalja e Elbasanit. Hapjes së asaj Shkolle i paraprinë dy kongrese të mbajtura në vitin 1909. Ishte Kongresi i Dibrës, i mbajtur më 23-29 korrik 1909, që më duket se padrejtësisht nuk ka zënë vendin e merituar në historiografinë tonë kombëtare, ndonëse në atë Kongres morën pjesë më se 300 përfaqësues  të gjitha vilajeteve,  trevave dhe shoqërive  kulturore shqiptare të cilat vepronin jasht atdheut, dhe aty u morën disa vendime me rëndësi politike, ekonomike dhe ushtarake për çështjen shqiptare në ato kohë të turbullta.

Me që këtu e kemi fjalën  për jubileun e 100-vjetorit të Normales së Elbasanit, duhet të theksojmë se hapjes së asaj Shkolle i parapriu Kongresi i Elbasanit, i mbajtur më 2-8 Shtator 1909. Mund të thuhet se Kongresi i Elbasanit ishte kongres i kushtuar kryesisht arsimit në gjuhën amtare, ndonëse në Rezolutën (vendimet) e Kongresit prej 15 pikash kishte edhe vendime të tjera, por vendimi kryesor që edhe u sendërtua atë vit ishte themelimi i një shkolle të mesme pedagogjike (Normales) në Elbasan, për të përgatitur mësues për zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe në shkollat fillore kudo që jetojnë shqiptarët.

Një komision i Kongresit hartoi një Rregullore për punën e Shkollës Normale. Kongresi mori vendim për krijimin e një qendre të vetme për organizimin, udhëheqjen dhe financimin e shkollave shqipe. Poashtu, u përcaktuan masat për bashkërendimin e veprimtarisë së të gjitha klubeve shqiptare që vepronin brënda e jasht atdheut.

Për gjeneratat e tashme ndoshta është e pakapshme, se deri atëherë në të gjitha shkollat shtetërore a private ku mësonin shqiptarët, mësimi mbahej ose në gjuhën turke ose në atë greke.


NORMALJA E ELBASANIT U HAP MË 1 DHJETOR 1909

Pas Kongresit të Elbasanit, patriotët, klubet shqiptare brënda e jasht atdheut dhe dashamirët e arsimit shqip, bënë përgatitjet e nevojshme, duke siguruar lokalet, mjetet, kuadrin pedagogjik dhe nxënësit për fillimin e punës së Normales. Kjo punë u kurorëzua me sukses, kur më 1 Dhjetor 1909,   për herë të parë u hap Shkolla Normale në Elbasan, e cila e kishte edhe internatin për nxënësit që vinin nga jasht Elbasani.

Drejtori i parë i Normales ishte patrioti i shquar  shkodran Luigj Gurakuqi, ndërsa arsimtarët e parë qenë njerëzit më të shquar të kulturës shqiptare, të shkolluar jasht atdheut, si bie fjala, Aleksandër Xhuvani, Sotir Peci, Petër Dodbiba, Simon Shuteriqi, Hasan Mejza, hafiz Ibrahim Dalliu, etj.

Me rastin e hapjes së Shkollës, para nxënësve, arsimtarëve dhe popullit të tubuar, Gurakuqi në fjalimin e tij, ndër të tjera kishte theksuar: “ Shqipëria u lëkund e tëra nga zëri i Shkollës Normale; atdhetarët nuk kursyen ndihmat e veta të begata, ndërsa djemtë tanë rodhën nga të gjitha viset e Shqipërisë (kjo nënkuptonte të gjitha trojet shqiptare) e u derdhën këtu në Elbasan…

Jo vetëm nga Toskëria që ka qenë gjithmonë e para ndër tregimet kombëtare e ndër luftërat e gjuhës, por më fort nga Gegëria e Sipërme, nga ajo Kosovë sa fisnike e trimoshe, me përpjekjet e të ndershmit Hasan Prishtina, i cili na rroftë përjetë, na erdhën mjaft nxënës sa që mund të thuhet pa frikë lajthimi se nuk ka asnjë kënd të Shqipërisë që të mos të ketë këtu brënda përfaqësuesin e vet”.

Pas Gurakuqit, drejtorë të Normales ishin edhe Aleksandër Xhuvani (emrin e të cilit e mbanë sot Universiteti i Elbasanit), pastaj Sali Ceka (nga Camëria), Ahmet Gashi (nga Kosova), Vasil Komani, etj, të cilët ishin edhe professorë të asaj Shkolle.


NXËNËSIT E PARË KOSOVARË NË NORMALEN E ELBASANIT

Normalja e Elbasanit kishte karakter mbarëkombëtar, jo vetëm pse pranonte nxënës nga të gjitha trojet shqiptare, të të tri besimeve fetare, por edhe për nga përmbajtja e lëndëve mësimore për formimin patriotik  të personalitetit të mësuesve të ardhshëm. Normalja e Elbasanit u bë një unazë e forte e boshtit kurrizor etnik të shqiptarëve.

Nëse kemi parasysh kohën dhe gjendjen e kombit tonë nën sundimin otoman dhe veprimin agresiv të shovinizmit ortodoks grek e sllav, mund të merren me mend peripetitë e sigurimit të kushteve, të kuadrit e të nxënësve për të filluar dhe zhvilluar mësimin. Patrioti Hasan Prishtina u angazhua shumë, duke shkuar në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës  e duke propaguar  për dërgimin e nxënësve në Normalen e Elbasanit.

Fillimisht Shkolla filloi punën me 111 nxënës, prej të cilëve 50 ishin nga Elbasani, ndërsa të tjerët nga të gjitha trojet shqiptare. Nxënësit nga Kosova dhe Shkupi mezi arritën në fillim të muajit shkurt të vitit 1910. Tubimi dhe udhëtimi i nxënësve nga Kosova  deri në Elbasan nuk ishte aspak i lehtë në atë kohë. Ata udhëtuan 12 ditë derisa arritën në Normalen e Elbasanit, për të marrë emrin e nderit “normalist”, e më pastaj mësues.

Në Elbasan u pritën me enthusiazëm nga qytetarët,  nga drejtori, nga pedagogët dhe  nga nxënësit e Normales. Edhe me atë rast drejtori Luigj Gurakuqi mbajti një fjalim të zjarrtë. Nxënësit kosovarë u vendosën në Internatin e Shkollës, ku morën uniformat dhe materialet e tjera që ishin  bërë gati për nxënësit. Nga Kosova në vitin e parë të Normales ishin regjistruar 16 nxënës.


Normalja si fidanishte e mësuesve, u bë tempull i vlerave dhe cilësive, që e bëri Elbasanin qendër arsimore, të dijes, edukatës dhe kulturës, që përmes mësuesve të përgatitur këtu, e të shpërndarë gjithandej në trojet shqiptare, rrezatoi e përhapi dritë e dituri.  Fillimit të punës së kësaj shkolle do i shkonin (përshtateshin) shumë mirë vargjet e Naimit, të thëna me rastin e hapjes së Shkollës së parë shqipe (fillore) në Korçë (më 7 mars 1887, që tash merret si dita e mësuesit):

“Hapu, hapu errësirë;
Pa jakë tëhu o dritë;
Se arriti kohë e mirë;
U gëdhi nata – u bë ditë!”

Ngjarjet, luftërat që u zhvilluan më vonë, veprimet e armiqëve të kombit tonë greko-sllav, por edhe reaksioni  xhonturk bënë që Normalja e Elbasanit disa herë të ndërpret punën, por me angazhimin dhe nën presionin e popullit dhe patriotëve shqiptarë, ajo ringjallej e ngritej si feniksi, e fillonte dhe vazhdonte punën përsëri.


TRADITA E NORMALES SË ELBASANIT VAZHDOI EDHE NË KOSOVË

Pas Luftës së Dytë Botërore, shkolla normale u hapen edhe në Kosovë. Me të drejtë mund të thuhet se Normalja e Prishtinës ishte një simotër e Normales së Elbasanit dhe universitet shqiptar në Kosovë. Në mesin e profesorëve të parë të Normales së Prishtinës kishte ish-nxënës të Normales së Elbasanit. Edhe kjo përgatiti mësues për të gjitha trojet shqiptare që ishin nën pushtimin e ish-Jugosllavisë.

Nga bankat e kësaj Shkolle dolën shumë kuadra, të cilët arritën gradat më të larta në shkencë dhe  në profesione të ndryshme. Kuadrat e para dhe më të shumta të Universitetit të Prishtinës që u hap më vonë, ishin nga radhët e profesorëve dhe ish-nxënësve të Normales së Prishtinës. Edhe sot e kësaj dite, ish-normalistët e Prishtinës e thërrasin njeni-tjetrin me emrin “normalist”, pavarësisht se çfarë profesioni a grade shkencore e profesionale kanë arritur ndërkohë. Ata janë më të organizuarit në mbajtjen e takimeve të gjeneratave.

Më të organizuarit janë normalistët e gjeneratës së viteve 1956-1961, të cilët edhe e kanë themeluar Shoqatën “Normalisti”, si organizatë joqeveritare. Ata çdo vit, të shtunën e fundit të muajit maj, mbajnë mbledhjen (takimin e përgjithshëm) të gjeneratës, por në grupe më të vogla takohen edhe shumëherë gjat vitit, në qytete të ndryshme të Kosovës.

Ajo Shoqatë sivjet e organizoi një ekskursion pesëditor në Shqipëri, me ç’rast vizitoi disa muze e monumente historike. Kishte nga ta që për herë të parë kishin shkelur në tokën e Republikës së Shqipërisë. Dhe, natyrisht ishte e pashmangshme vizita ish-Normales së Elbasanit.

Më 28 shtator 2009, grupi prej 35 ish-normalistëve të Prishtinës, të gjithë të moshës rreth shtatëdhjetëvjeçarë, e vizitoi Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” (që është pasuese e ish-Normales së Elbasanit). Nga drejtoresha e Shkollës, zonja Dhurata Valera, u pritën me dashamirësi dhe u njohen jo vetëm me punën e Shkollës së tashme Pedagogjike, por edhe me përgatitjet intensive që po bëheshin për festimin e 100-vjetorit të Normales së Elbasanit. Punohej intensivisht në grumbullimin e fondit dokumentar dhe restaurimin e Muzeut të Shkollës dhe ekspozitën e fondeve të dokuemteve për Normalen.

Një dhjetori, dita e hapjes së Shkollës Normale të Elbasanit, është një ditë me rëndësi në kalendarin e të kaluarës dhe një faqe e ndritur e arsimit dhe kulturës sonë. Një dhjetori i sivjem e shënon 100-vjetorin e fillimit të punës së asaj Shkolle.  Një shekull përpjekje, sakrifica,  beteja e shtrëngata për ruajtjen e emrit, identitetit, gjuhës, arsimit, kulturës, traditës dhe trojeve tona. Shumë ish-nxënës të asaj Shkolle luftuan edhe me armë dhe ranë dëshmorë në altarin e lirisë së atdheut.

Sot të gjithë ish- normalistët e gjallë të asaj Shkolle, por edhe të Normales së Prishtinës kanë lakmi e dëshirë të ishin edhe fizikisht  pjesëmarrës në manifestimin e 100-vjetorit, kësaj dite të madhe elbasanase e mbarëkombëtare.

Në pamundësi për të qenë aty fizikisht, me mendje e me zemër të gjithë jemi, dhe me respekt e pietet i kujtojmë të gjithë ata patriotë, veprimtarë, dashamirës, ndihmëtarë, profesorë, drejtorë e nxënës të cilët kontribuan në përhapjen e arsimit shqip kudo në trojet shqiptare.

Urime  për këtë përvjetor Elbasanit, gjithë Shqipërisë dhe të gjithë Shqiptarëve kudo që ndodhen, për këtë Jubile të rëndësishëm.




 
|  KULTURË  |  HISTORI  |   POLITIKË  |  OPINIONE  |  ADRESARI  |  ARKIVI  |
 
 
Copyright©2000-2009 Trepca.net