|  KULTURË  |  HISTORI  |   POLITIKË  |  OPINIONE  |  ADRESARI  |  ARKIVI  |
Pensionistët do formojnë partinë e vet?
 
   
31 dhjetor 2009 /TN

Adil FETAHU

Mjaft votuam për ata që na mashtruan. Tash  do votojmë për vete.
Partia jonë ka një elektorat të madh – thonë udhëheqësit e pensionistëve.

Pensionistët janë të lënë jasht ligjit, sepse nuk ka asnjë ligj (rregullore e UNMIK-ut as ligj i shtetit të Kosovës) që e rregullon statusin dhe përcakton e garanton të drejtat e tyre.

Plot katër vjetë sillet nepër kabinetet e ministrive të Qeverisë së Kosovës një projekt i Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, por me arsyetime të ndryshme jobindëse dhe të paqëndrueshme akoma nuk e ka gjetur rrugën për t’u proceduar në Kuvend për miratim.


Na gënjyen e na zhgënjyen dhjetë vjet

Kohë më parë, në vigjilje të zgjedhjeve lokale, në faqet e kësaj gazete botova një shkrim me titull: “A kanë motiv pensionistët të dalin në votime”. Në atë shkrim paraqita shifra e fakte për gjendjen e rëndë, për shkeljen e të drejtave,  për diskriminimin dhe për zhgënjimin e pensionistëve të Kosovës. Ndonëse nuk më njihte personalisht, në orët e vona të mbrëmjes më thirri me telefon  veterani  i veteranëve të arsimit në Kosovë, profesor Ahmet Kelmendi, më falënderoi për shkrimin të cilin tha se e kishte lexuar dy-tri here dhe e lavdëroi për prezentimin e problemeve esenciale.

Profesor Kelmendi që 66 vjetë rresht ka punuar aktivisht në arsim, për arsimimin dhe edukimin e shumë gjeneratave e brezave,  tash merr 80 euro si ndihmë sociale, pension i thençin këtij?! Ai nuk i ka mësuar dhe edukuar nxënësit e studentët që të jenë kaq mosmirënjohës e mospërfillës ndaj më të vjetërve.

Nga Redaksia e gazetës këto ditë mora një e-mail, me të cilin kërkojnë prej meje të përgatis një shkrim për numrin festiv të gazetës, dhe, ndonëse e kishin lënë mundësinë që vet ta zgjedh temën, megjithatë më sugjerojnë të shkruaj për pensionistët. Duket se ata më mirë se kolegët e redaksive të mjeteve tjera të informimit e kanë kuptuar se kjo kategori sociale e popullatës jo vetëm se është më e margjinalizuara, veçse e ka të rrezikuar edhe ekzistencën.

Janë të shumta shkaqet e varfërisë së popullit të Kosovës në përgjithësi: lufta shkatërrimtare, ekonomia e pazhvilluar, papunësia enorme,  privatizimi i keq dhe i padrejtë, korrupsioni, shkelja e të drejtave, diskriminimi. Varfëria në Kosovë dominon në tri nivele: në nivelin individual (personal),në nivel të familjes dhe në nivel të tërë shoqërisë.  Në nivelin e tretë janë krijuar dy shtresa: shtresa e të pasurve  (të pasuruar në mënyrë të padrejtë e të pandershme e me forma të ndryshme kriminale), dhe shtresa e të varfërve, e cila mezi ekziston e vegjeton.

Nuk ka më shtresë të mesme të punëtorëve industrialë e tjerë, të cilët me rrogat e tyre  mbanin veten e familjen.  Sepse nuk ka as industri as fabrika rentabile. Edhe ato janë varfëruar dhe të gjitha janë të “pjekura” për falimentim.Ata pak punëtorë që akoma kinse punojnë, kanë paga aq të vogla sa nuk iu mjaftojnë as vetëm për vetën e tyre, e jo edhe për familjen, madje as ato nuk i marrin me rregull. Ata nuk kanë kurrëfar sigurimi shëndetësor, pensional dhe invalidor.

Skema e krijuar për sigurimin pensional të tyre, nuk është kurrëfar garancioni se ata kur të arrijnë moshën e pensionit, do të marrin far pensioni. Sepse paratë e tyre “mund t’i hajë mini”, dhe shteti nuk garanton për pensionet e tyre. Për pensionistët e tashëm ka garantuar shteti, dhe ja se në çfarë gjendje i ka katandisur, e lere më për këta që shteti nuk garanton as nuk ka kurrëfar obligimi!

Gjendja e pensionistëve aktualë sa vjen e përkeqësohet, jo vetëm ngase ata i rëndon pleqëria dhe shëndeti i brisht, por gjithnjë e më tepër  që po injorohen e harrohen nga ata të cilët duhet të kujdesen për këtë kategori, duke filluar nga fëmijët dhe familjet e tyre, deri te niveli i përgjithshëm i shoqërisë (shteti).

Duke abstrahuar periudhën sa ishim nën okupimin e egër serb deri në vitin 1999, sepse prej armikut nuk mund të presësh të të krijojë mirëqenje,  por edhe në këto dhjetë vjetët pas çlirimit nga okupimi, gjendja e pensionistëve sa vjen e keqësohet.

As administrata ndërkombëtare (UNMIK-u) që ishte “zot shtëpie në shtëpinë tonë”, as pushtetarët tanë të dhjamosur e të pashpiert, nuk treguan vullnet e gadishmëri për të zgjidhur problemin e pensionistëve, të cilët të drejtën e pensionit e kanë fituar me punë të ndershme e me pagesën e kontributeve të mëdha për sigurimin pensional dhe invalidor.

 Ata të drejtën e pensionit e kanë blerë me para të veta, me kontribute  të paguara në shuma të konsiderueshme plot dyzet vjetë, dikush edhe më shumë e dikush më pak. Sikur t’iu paguhej pensioni në bazë të kontributeve të paguara, ata sot do ta kishin shumë më të mirë gjendjen jo vetëm atë materiale, por edhe atë statusore, shëndetësore e psikologjike, në familje e në shoqëri. Sepse, të paktën në aspektin material nuk do ishin të varur dhe nuk do kishin nevojë të presin që dikush t’iu ndihmojë financiarisht.

Pensionistëve shteti i Serbisë, Administrata e UNMIK-ut dhe shteti i Kosovës iu kanë mbetur borxh dhe as që kanë ndërmend t’ua paguajnë borxhet, me as pa kamatë. Shteti i Serbisë iu ka mbetur borxh për periudhën deri në qershor të vitit 1999, kurse UNMIK-u dhe shteti i Kosovës për periudhën prej çlirimit e këndej.  Është nënçmuese për pensionistët që këta i kanë futur në kategorinë e ndihmave sociale, me të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeçë, pa marrë parasysh që, siç e ceka më lart rastin e profesor Ahmet Kelmendit, ai ka punuar aktivisht 66 vjetë dhe gjat gjithë kohës nga rroga e tij janë ndarë shuma të konsiderueshme të kontributeve për sigurimin pensional dhe invalidor. A s’ është kjo denigruese, nënçmuese, përçmuese, fyese e zhgënjyese?

Në Konferencën Ndërkombëtare të Sindikatave të Pensionistëve të vendeve të Europës Juglindore, që para sa kohe u mbajt në Zagreb, pjesëmarrësit e Konferencës u habitën me dy kurriozitete që mësuan nga informatat e paraqitura në atë Konferencë.

Kurrioziteti i parë, për të keq dhe i pakuptimt, ishte informata nga Kosova se pensionistët kosovarë kontributpagues të gjithë linearisht marrin “pension” të barabartë (tash 80 euro), pa marrë parasysh gjatësinë e stazhit të punës dhe shumën e kontributeve të paguara!

Kurrioziteti i dytë, për të mirë, e që tregon kujdesin e shtetit ndaj qytetarëve të vet të merituar, ishte ai nga Sllovenia, që pensioni mesatar ishte 800 euro, dhe se çdo vit, para vitit të ri, iu paguhet edhe “pensioni i trembëdhjetë”! 

Dy skajshmëri në dy shtete “demokratike”; njeni tashmë është anëtar i BE, kurse tjetri pretendon të bëhet në të ardhmën. Konferenca miratoi një”Deklaratë, me të cilën rekomandon dhe apelon që pensioni për stazhin e plotë duhet të jetë adekuat për jetesë të denjë të pensionistit, dhe këtë duhet ta garantojnë qeveritë e të gjitha vendeve, kurse pensioni minimal duhet të jetë i barabartë me rrogën minimale…”.

Pensionistët e Kosovës (përveç serbëve, të cilët  rregullisht i marrin pensionet nga Serbia dhe këto ndihmat sociale nga buxheti i Kosovës), jo  vetëm se janë të diskriminuar, të injoruar, të përbuzur e të margjinalizuar nga antitalentët e pandjenja që sot udhëheqin  institucionet shtetërore të Kosovës, por me gjithë këto padrejtësi që iu janë bërë, akoma asnjë institucion nuk ka bërë një analizë të gjendjes reale, ekonomike, sociale, shëndetësore, psikologjike për këtë grupacion të popullatës së rrezikuar për ekzistencë. Bëhën analiza, miratohen ligje, programe e strategji për mbrojtjen e të drejtave ose nga dhuna të kategorive të caktuara, madje edhe për kafshët, por jo edhe për pensionistët. Sepse, po të bëhej një analizë reale, pasqyra e gjendjes do dilte katastrofale. 

Në rrethanat që janë katandisur, pensionistët kanë filluar të bëhen gërmadha prej njeriu. Ndaj pensionistëve po ushtrohet dhunë ekonomike-financiare, sociale, statusore dhe psikologjike. Në gjendje të tillë, nuk përjashtohet edhe dhuna fizike. Sepse piramida tradicionale e familjeve të varfëra, ku në një banesë a shtëpi bashkëjetojnë disa breza, krijon probleme të ashpra sociale e psikologjike, të cilat shkaktojnë konflikte e dhunë gjithfarëshe, e në raste të tilla janë pensionistët ata që e pësojnë më së keqi.

Me qenë se ata nuk kanë mundësi të punojnë e të fitojnë për vete e për familjen,  ka rënë roli tradicional dhe autoriteti i plakut në familje.  Të rinjët kanë koncepte tjera, nuk kanë kohë, durim as konsideratë që t’iu kushtojnë më të vjetërve, dhe kështu lindin mosmarrëveshje e konflikte, në të cilat e pësojnë ata më të pafuqishmit. Dhuna ndaj të moshuarëve qoftë ajo aktive ose pasive, verbale, emocionale, financiare ose fizike, mbetet e pazbuluar sepse atyre iu vjen turp të tregojnë se çfarë përjetojnë.

Duke i injoruar shoqëria, është krijuar një stereotip i mospërfilljes së gjeneratës së vjetër, duke i quajtur ata si mbeturinë e socializmit! Po këta njerëz, gjat kohës së socializmit e kanë ndërtuar tërë infrastrukturën ekonomike e shoqërore të cilën këta pushtetarët e tashëm po e shfrytëzojnë, po e keqpërdorin e bile edhe po e shkatërrojnë. Këto janë probleme esenciale, jo vetëm për pensionistët, por për gjithë shoqërinë.

A nuk e shkatërruan ekonominë përmes privatizimit korruptues  të pronës shoqërore, të cilën ua shitën pa kurrëfar çmimi një numri të caktuar njerëzish, të cilët tash nuk dinë çfarë të bëjnë me te, përveçse t’i përjashtojnë  punëtorët prej pune. Kurse pensionistët e sotëm janë përjashtuar edhe nga pjesëmarrja në ndarjen e përqindjes së caktuar të mjeteve të grumbulluara nga privatizimi (sado që ato janë aq të vogla, sa nuk ia vlenë të lamentohet për to). Por, është absurd, që të drejtë pjesëmarrje në mjetet e privatizimit kanë punëtorët të cilët kanë punuar (vetëm) tri vjetë para fillimit të procesit të privatizimit, kurse nuk kanë të drejtë ata që kanë punuar 30 apo 40 vjetë! Një absurd i tillë akoma nuk ka ndodhur diku tjetër.

Pensionistët janë të lënë jasht ligjit, sepse nuk ka asnjë ligj (rregullore e UNMIK-ut as ligj i shtetit të Kosovës) që e rregullon statusin dhe përcakton e garanton të drejtat e tyre.

Plot katër vjetë sillet nepër kabinetet e ministrive të Qeverisë së Kosovës një projekt i Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, por me arsyetime të ndryshme jobindëse dhe të paqëndrueshme akoma nuk e ka gjetur rrugën për t’u proceduar në Kuvend për miratim.

Mosmiratimi i ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, që konsiderohet si ligj sistemor për realizimin, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore nga kjo fushë, paraqet shkelje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në funksionimin e organeve të pushtetit shtetëror, por kush e vret mendjen sot për kushtetutshmëri, ligjshmëri, drejtësi, a njerëzi?!


Pensionistës do formojnë partinë e vet politike

Duke parë se deri më tash asnjë parti politike që ka ardhur në pushtet nuk ka treguar vullnet e gadishmëri të sinçertë për zgjidhjen e pozitës dhe statusit të pensionistëve, nga baza strukturale e organizimit të pensionistëve dhe invalidëve të punës,  nga shoqatat dhe nga organizatat komunale të pensionistëve dhe invalidëve të punës, është kërkuar të formohet Partia politike e pensionistëve dhe invalidëve të punës, e profilizuar si parti politike për drejtësi sociale. 

Qëllimi kryesor i themelimit të Partisë së pensionistëve është që ata vet, të organizuar si parti politike, të përpiqen në institucionet shtetërore për të përmirësuar statusin e vet shoqëror dhe pozitën materiale e sociale, në suaza të mundësive reale. Dhe jo vetëm për veten e tyre, por edhe për të gjitha kategoritë e tjera sociale të rrezikuara, siç janë punëtorët, të papunët, invalidët, shfrytëzuesit e pensioneve familjare, etj.

Ata duan t’i mbrojnë të drejtat dhe interesat e veta, por edhe vlerat e përgjithshme. Pensionistët mjaft ua kanë falur votat e tyre partive tjera, të cilat nuk i kanë mbajtur premtimet e dhëna në fushatat parazgjedhore. Tash ata, bashk me familjarët dhe miqtë e tyre,  me sindikatat e punëtorëve, por edhe me shumë  punëtorë e qytetarë  tjerë të papërcaktuar në parti tjera, do të formojnë një trup elektoral i cili siguron një numër vendesh në Kuvend, dhe me partnerë tjerë do të përpiqen të arrijnë qëllimet e përbashkëta në aktivitetet ligjdhënëse dhe ekzekutive.

Marrëdhëniet me partitë e tjera Partia e pensionistëve  do t’i krijojë në mënyrë pragmatike, ekskluzivisht në interes të grupeve më të rrezikuara sociale. Pensionistët nuk janë të interesuar për karrierë as për pozita në pushtet, por janë shumë të interesuar për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të veta të ligjshme.

Kjo  e bënë këtë Parti atraktive për partitë e tjera që të lidhin koalicion me këtë. Pothuajse në të gjitha vendet e rajonit ekzistojnë parti politike të pensionistëve, dhe ato janë treguar mjaft të suksesshme në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të anëtarëve të vet e të grupeve tjera sociale. Do t’i vijë fundi pandjeshmërisë dhe pamoralitetit të pushtetit ndaj pensionistëve, invalidëve dhe kategorive tjera të shtresave sociale të popullsisë e të punëtorëve. Por njolla  e këtij dhjetëvjeçari do t’iu mbetet e pashlyer.

Gëzuarshi Vitin e Ri 2010, paqi shëndetin dhe mëshirën e Zotit, se njeriu prej njeriut  po duket se ka hequr dorë!

 


 
|  KULTURË  |  HISTORI  |   POLITIKË  |  OPINIONE  |  ADRESARI  |  ARKIVI  |
 
 
Copyright©2000-2009 Trepca.net