|  KULTURË  |  HISTORI  |   POLITIKË  |  OPINIONE  |  ADRESARI  |  ARKIVI  |
LALOVIÇ: Kosovarëve do t’u jepen pensionet kur t’i paguajnë kontributet në Beograd
 
   

25 mars 2005 / Nebojsha Grabezh, RFE/RL Beograd (Evropa e lirë)

Në mesin e shumë çështjeve të pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është mospagesa e pensioneve të shumë shqiptarëve nga Kosova, e cila ka qenë shkak i disa protestave të pensionistëve në Prishtinë. Nga ana tjetër, zyrtarë të qeverisë serbe thonë se në Beograd egziston gadishmëria për zgjidhjen e këtij problemi, por siç theksojnë ata, për momentin kjo nuk është e thjeshtë.

Problemi i pensioneve për shqiptarët e Kosovës, u paraqit në vitin 1999. Ministri për Punë dhe Çështje Sociale i Serbisë Slobodan Laloviç, thotë se shkak është ndërprerja e pagesës së kontributeve nga Kosova për fondin pensional invalidor të Serbisë.

"Për të siguruar të drejtat nga sigurimi pensional, duhet të paguhen kontributet. Pasi të punësuarit në Kosovë ndërprenë pagesën e kontributeve në fondin pensional invalidor të Serbisë, ne nuk jemi në gjendje të paguajmë pensionet për shqiptarët e Kosovës", tha ministri Laloviç, sipas të cilit Ministria për Punë e Serbisë është e njohur me faktin se disa shqiptarë nga Kosova shkojnë në Serbi dhe interesohen se si mund t'i marrin pensionet.

Sipas tij në gjykatat e Beogradit kanë filluar disa procese gjyqësore, mirëpo: "Thelbi i problemit është vazhdimi i pagesës së kontributeve në fondin pensional të Serbisë. Në këtë rast ne do të vazhdonim pagesën e pensioneve", thotë ministri Laloviç.

Në anën tjetër çështja e pensioneve të të zhvendosurve serbë nga Kosova, përgjithësisht është zgjidhur. Sasha Damjanoviç, nga komisariati i Serbisë për refugjatë, thotë se në rastin e tyre është vepruar njëjtë si në rastet e punëtorëve, të cilët pas pensionit vetëm kanë ndryshuar vendbanimin brenda Serbisë.

"Kjo domethënë se të gjithë ata që kanë punuar për ndërmarrje të caktuara në Kosovë rregullisht i marrin pensionet. Nuk mund të flas për raste specifike këtu, mirëpo përgjithësisht kjo çështje është zgjidhur", thotë Damjanoviç.

Po a egzistojnë mundësi për zgjidhjen e problemi edhe të pensionistëve shqitparë nga Kosova dhe a është përpjekur qeveria e Serbisë që të bisedojë për këtë çështje me institucionet e Kosovës?

Ministri Laloviç përmend letrat e Avokatit të Popullit Marek Antoni Novicki, i cili në disa raste kishte kërkuar zgjidhjen e problemit.

"Në këto letra i jemi përgjigjur me shkrim zotit Novicki. Kontakte të drejtpërdrejta nuk kemi patur, mirëpo gjatë javës së ardhshme unë do të vizitoj Mitrovicën, me qëllime të tjera, por edhe do të përpiqem të takohem me ombudspersonin Novicki", thotë Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale i Serbisë, Slobodan Laloviç.

Ministria e Punës dhe Mirëqënies Sociale në Kosovë thotë se lartësia e fondit është 300 milionë euro, kurse në Kosovë janë 89 mijë pensionistë, të cilët kanë marrë pensione para vitit 1999 nga ky fond.




E drejta pėr pension nė Kosovė (korrik 2002)
 
|  KULTURË  |  HISTORI  |   POLITIKË  |  OPINIONE  |  ADRESARI  |  ARKIVI  |
 
 
Copyright©2000-2009 Trepca.net